Rama: Kufiri Shqipëri-Kosovë, të bëhet më fluid
“Duhet të intensifikojmë të gjitha proceset për të bashkuar forcat, ekonomitë, idetë, energjitë dhe për ta kthyer kufirin në një kufi fluid”. Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka thënë se është absurditet që Kosovës të mos i hiqet regjimi i vizave, sikurse mos hapja e kapitujve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Të dy këto sipas Ramës lidhen me situatën e brendshme të disa shteteve të BE-së. “Është një çështje e një psikoze të krijuar në BE. Ne këtë aspekt duhet të jemi të afërt me veten dhe njëri-tjetrin. Duhet të intensifikojmë të gjitha proceset për të bashkuar forcat, ekonomitë, idetë, energjitë dhe për ta kthyer kufirin në një kufi fluid dhe nga ana tjetër duhet të kemi një qasje shumë më të strukturuar në raport me Serbinë”, ka thënë Rama në “Zona B” në “Klan Kosova”.
“Kjo është gjëja që duhet të bëjmë ne. Të strukturuar flas për Kosovën në këtë kuptim dhe ne jemi në mbështetje të Kosovës në këtë rast”.
Rama ka deklaruar se nuk e thotë të kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të hiqet tërësisht. “Do të kemi një kufi më fluid, do të ketë vetëm një ndalesë. Kjo që po bëjmë ne është ta kuptojnë edhe serbët se nuk e bëjmë veç me njëri-tjetrin dhe s’bëjmë dyfytyrësi. U kemi kërkuar të gjithëve heqjen e barrierave. Me Kosovën do t’i heqim të gjitha. Porti i Durrësit do të jetë edhe i Kosovës. Pastaj do të bëjmë hapat drejt bashkimin doganor”, u shpreh ai.