Rama: Kurti do të jetë i ftuar në samitin e Berlinit në Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Mal të Zi, para gazetarëve ka folur për mostakimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se vizita e tij në Kosovë ishte si vizita e sotme në Mal të Zi dhe ajo që do ta bëjë në Serbi.
“Unë nuk shkova në Prishtinë për tu martuar me Albinin. S’ndihem i fyer si një dhëndër që nusja s’i doli në takim”.
“Në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta me një situatë të caktuar”, ka thënë Rama.
Më tutje, Rama ka thënë se me Kurtin, situatën aktuale e përjetojnë dhe duan ta trajtojnë në mënyra të ndryshme, teksa ka bërë me dije se në samitin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë, Kurti do të jetë i ftuar.
“Unë e përjetoj si një situatë që duhet trajtojmë së bashku duke u ulur e biseduar, ndërsa Albini do që ta trajtojë pa u ulur dhe pa u takuar”.
“Unë thjeshtë thashë dhe përsëris që në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i BE-së dhe vendeve të tjera, për Procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dua që ne të jemi të gjashtit aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar në vende të tjera. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”, ka thënë Rama.