Rama: Kurti nuk deshi përballje me mua për veriun, ai lexon sondazhet e kënaqet që i rriten pikët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur të premten për anulimin e mbledhjes së dy qeverive dhe për refuzimin e kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit për takim kokë me kokë, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Rama ka thënë se Kurti nuk e ka dashur një ballafaqim të drejtpërdrejtë lidhur me atë që po ndodh, sepse sipas tij ai lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenët në sondazhe.
Megjithatë, Rama ka shtuar se nuk mund të jetë noter i çdo politike të Kosovës, duke qenë se është shtet me interesat e saj shumë të qarta.
“Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin dhe ballafaqimin e drejtpërdrejtë për këtë temë. Sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenët. Por mendoj që Shqipëria s’është notere dhe s’mund të jetë noterë e çdo politike që ndjek Kosova, aq më tepër nëse Shqipëria trajtohet si vëllai i madh, gjë që s’e kam thënë kurrë. Detyrimi ynë është që themi të vërtetën në sy. Shqipëria është shtet në vete, dhe interesat tona janë shumë të qarta”, ka thënë Rama në një konferencë për medie.