Rama: Kush është përjashtuar padrejtësisht nga ndihma ekonomike, do të riintegrohet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar një familje e cila ka përfituar ndihmën e plotë ekonomike nëpërmjet skemës së re.
“Deri dje merrja 28 mijë lekë dhe sot me ndihmën e re marr 90 mijë, plus kompensimet”, ka thënë kryefamiljari i kësaj familje.
Duke e cilësuar skemën e re një rregullim të listës së atyre që përfitonin duke mos e merituar atë, kryeministri Rama ka thënë se në këtë skemë bëhet kontrolli i çdo subjekti tek tatimet, hipoteka, transporti etj., në mënyrë që të s’kualifikohen ata që e përfitojnë padrejtësisht.
“Ka një pjesë minimale, që është marzha e gabimit të sistemit, që ne po e verifikojmë dhe të gjithë ata që pas verifikimit do të rezultojnë të përjashtuar jo për shkak të abuzimit, por të sistemit, do të riintegrohen”, ka thënë Rama.