Rama: Kush flirton me korrupsionin nuk ka punë me ne, por me drejtësinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së përbashkët e të hapur mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS) dhe kabinetit qeveritar ka pasur një paralajmërim për socialistët: “kush korruptohet nuk ka punë me ne”.
Sipas tij, PS-ja është e vetmja forcë që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush më parë, për t’u vendosur në anën e drejtësisë dhe në dispozicion të drejtësisë.
“Prandaj, ministri, deputeti, kryetari i bashkisë, drejtori apo kushdo që flirton me korrupsionin nuk është i yni dhe nuk ka punë më me ne”, ka thënë Rama.
Për Ramën këto figura janë tradhtarë të dyfishtë. “Çdo anëtar i Partisë Socialiste që bën korrupsion është tradhtar i shoqërisë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama është shprehur se, ata që kanë rezultuar të korruptuar kanë qenë një mollë e kalbur dhe se vetëm duhet të vijojnë luftën me drejtësinë.
“Kur dëgjoj që thonë se Rama e ka hedhur si limon të shtrydhur se si duhet më, e kanë gabim. Është një mollë e kalbur që bie vetë”, ka thënë Rama.
Numri një i qeverisë e ka bërë të qartë se nuk do të bëhet kurrë mburojë e ndonjë zyrtari socialist të korruptuar dhe që ka probleme me drejtësinë.
“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël kur do të hidhet nga një shkëmb për në det, por nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura”, ka deklaruar Rama.
Në fjalën e tij hapëse Rama, ka zgjedhur të krahasojë situatën e vendit para se socialistët të merrnin pushtetin dhe pas kësaj.
Kjo me fokus në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të një shteti ligjor.
Për kryeministrin tashmë ka dy pasqyra të ndryshme të faqes së Shqipërisë.
Rama ka sjellë në vëmendje se kur shqiptarët i votuan, vendi ishte në pikën më të ulët, rendi publik ishte përtokë, me qindra vrasje dhe mijëra aksidente.
“Krimi kishte fituar lojën me shtetin, vjedhjet e shtëpive ishte përditshmëri dhe banorët kërkonin siguri”.
Sipas Ramës, asokohe asgjë nuk ishte funksionale, që nga spitalet, universitetet, punësimet e deri të institucionet e drejtësisë.
“Çdo familja shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë se kjo ishte pasqyra e një dekade më parë”, ka thënë Rama.
Ai ka kujtuar se si protestat kishin mbështetur vetëm punë e PS-së.
“Protestuesit e vrarë nga dyert e shtetit trajtoheshin si kriminelë që kishin marrë thjesht atë qe meritonin kurse për drejtësinë vrasjet e ishin gabime teknike”, ka thënë Rama referuar dukshëm ngjarjes së 21 janarit.
Sipas tij, sot pasqyra është krejtësisht tjetër dhe për këtë nuk ka dyshime.
Numri një i qeverisë është shprehur se, Partia Socialiste është në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real, ku sundimi i ligjit të arrijë nivelin e kërkuar nga Bashkimi Evropian.
Rama ka thënë se lufta kundër korrupsionit ka nisur me reforma, “kur ne nisëm përpjekjen për reformën në drejtësi”.
“Kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, as pa dështime, as pa zhgënjime. Deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, këtë e thotë hapja e negociatave”, është shprehur Rama.
Kryeministri Rama ka thënë se nuk do të hapeshin negociatat nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita më natën.
“Askush më parë, asnjë forcë me peshë që prej shkëputjes së Shqipërisë nga perandoria otomane nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik. Askush dhe asnjë”, ka thënë Rama, duke shtuar se “nuk po thotë se ne e kemi mundur korrupsionin, por jemi në mes të një lufte reale me korrupsionin”.
“Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes, drejtësia është e ndarë nga politika. Ne jemi e para parti politike që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur me drejtësinë duke vrarë drejtësinë. Ne jemi çarmatosur”, ka thënë Rama.