Rama: Kush heq Hashim Thaçin nga historia e UÇK-së, ia ngul një thikë në fyt popullit të Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur sërish deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me raportin e Dick Martyt. Fjalët e Ramës sërish ishin të ashpra.
Ai ka thënë se varret masive dhe gjaku e nderi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk janë meny, ku i fut hundët Sali Berisha duke iu referuar edhe si “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
“Varret masive dhe gjaku dhe nderi i UÇK-së nuk janë meny ku fut hundët gjenerali i juaj i ushtrisë së vdekur, që do të mbledhë këtu të tëra kockat e Ballkanit për ti bluar, me demek në emër të kombit dhe dinjitetit kombëtar. Një i padëshiruar me certifikatë dhe me certifikatë të vulosur nga SHBA-të me vulë dhe me firmë. Dhe oqeani iku, tani ikën Gjilbratarit, kanali i Lamanshit, mbyllet kontinenti. Si mund ta katandisni ju gjithë atë lëvizje demokratike, gjithë atë histori në thesin me kocka të një të vdekuri që sillet si i gjallë e vjen vërdallë, dhe kjo ka shumë rëndësi sepse Kosova, sepse UÇK sepse gjaku i të gjitha viktimave dhe i heronjve e dëshmorëve të Kosovës përdoret për atë thes. S’ka lidhje fare se nga doli kjo kujtesë, kur ne duhet të merremi me raportin e Dick Martyt, që është një raport që është firmosur pasi është votuar në Këshillin e Evropës, në Asamblenë e Përgjithshme. Ne duhet t’i themi asamblesë së përgjithshme ‘rrëzohet ky raport tani’, jo pse themi ne, por sepse e treguan të gjitha hetimet që ky raport është i pabazë”, ka thënë Rama.
Po ashtu, ai ka folur edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë. Rama ka thënë se kushdo që e largon Thaçin nga historia e UÇK-së “i ngul një thikë në fyt” Kosovës dhe popullit të saj.
“Kush heq Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje thjeshte dhe vetëm i ngul një thikë në fyt Kosovës dhe i ngul një thikë mu në fyt popullit të Kosovës dhe shkel mbi gjakun dhe pështyn mbi kockat e gjithë heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Nuk i takon njeriu këtu të hapi gojën për Hashim Thaçin, aq më tepër sot, nuk jeni duke e kritikuar presidentin e Kosovës, jemi duke folur për një gjyq ku është ngritur një akuzë që shkon përtej personit. Sa për drejtësinë që ju e keni merak, drejtësia ka qenë shqetësim i juaj, kredo e juaj, lufta e juaj, prandaj përfunduat që udhëheqësin e juaj e keni non-grata, sepse jeni marrë me drejtësinë”, ka thënë Rama.
Më tutje, Rama ka kërkuar nga deputetët “që e duan Kosovën” që t’i thërrasin mendjes.
“Këtu është çështja si përfshihet Kosova në mekanizmat e sigurisë së NATO-s dhe Partneriteti për Paqe është një mekanizëm. Mos harroni që disa vende anëtare në NATO nuk e njohin Kosovën akoma dhe ju që e doni kaq shumë Kosovën thirrni mendjes, o njerëz, thirrni mendjes, mos e përdorni këtë këtu, nuk është ky parlamenti i Shqipërisë që të ndizen zjarr që të fërkoni duart duke marrë nëpër gojë kosovën, duke bërë si patriotë”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se “Adem Jashari, Hashim Thaçi dhe gjithë të tjerët, duke nisur nga Ibrahim Rugova fillimisht, krijuan premisat, por pa ata, të cilëve ua tregoni Sorrosin e gomarllëqe më të mëdha që mund të pjelli mendja e një bajraku të izoluar, nuk bëhej Kosova”.
Kryeministri i Shqipërisë ka vazhduar të flas me fjalët e rënda ndaj PD-së, duke thënë se kjo parti po “lufton me gjakun, viktimat, heronjtë e të tjerëve”.
“Ju jeni nga ata që luftoni me gjakun e të tjerëve, e keni treguar me këtë, ju jeni nga ata që luftoni me viktimat e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me dëshmorët e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me heronjtë e të tjerëve, ju jeni ata që kujtoni se luftoni duke vënë lule te monumenti i Adem Jasharit, duke i ngulur thikën Hashim Thaçit sa herë iu ka dhënë mundësia, çfarë luftëtare jeni ju, çfarë lufte keni bërë ju? E gjithë lufta juaj ka përfunduar me një lule në ballë të padëshirueshëm”, ka thënë Rama.
Gjatë kohës që Rama po replikonte, ish-kryeministri Sali Berisha qëndronte ulur dhe nganjëherë i përgjigjej Ramës, por nuk dëgjohej.