Rama: Ky rajon nuk është as i Kurtit as i Vuçiqit

23 qershor 2023 | 15:23

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se një shtysë e re, konkrete, nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e ShBA-së për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është sot një domosdoshmëri po aq alarmante sa situata në degradim të vazhdueshëm në veriun e Kosovës.

Përmes një konference për medie, Rama ka thënë të premten se nuk ka asnjë problem personal me Albin Kurtin, por pas komenteve të fundit kur ai refuzoi draft-marrëveshjen me argumentin “le t’ia paraqesë Beogradit”, gjërat mes vendeve nuk janë ashtu siç duhet.

Sipas Ramës, nëse Shqipëria konsiderohet si “vëllai i madh” i Kosovës, detyrimi i saj është që gjërat t’i thotë hapur ashtu siç janë. Dhe e vërteta, sipas Ramës, është që gjërat për Kosovën në raportet e saj me ndërkombëtarët janë shumë keq.

“Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin e drejtpërdrejtë për këtë temë sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet se i rriten poemat. Mirëpo, Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e një politike që ndjek Kosova. Aq më tepër kur Shqipëria konsiderohet si ‘vëllai i madh’ i Kosovës, sikurse thoni ju jo unë, sepse unë nuk e kam thënë kurrë një gjë të tillë. Detyrimi jonë është të themi të vërtetën në sy dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Shqipëria është shtet më vete që ka interesat e saj. Marrëveshjet që ishin gati për t’u firmosur mund të firmoseshin po njësoj pa pasur nevojë për të dhënë një shfaqe sikur gjërat janë normale. Gjërat nuk janë normale, janë keq dhe unë po bëj gjithçka për të shmangur më të keqen. Ne në emër të qeverisë shqiptare po bëjmë sa po mundemi. Por të vijë dita që të diskutohet lojaliteti i partnerëve me Kosovën, është shumë keq”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se i duket e tmerrshme që programe të caktuara të bashkëpunimit të BE-së me Kosovën janë ngrirë.

“Unë nuk hyjë tek ata që i konsiderojnë ndërkombëtarët dhe partnerët si Zoti vetë. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtarët. Është mbi Amerikën dhe Shqipërinë. Por në këtë rast është katastrofë që të këputen në këtë farë feje lidhjet me bashkësinë euroatlantike. Kështu që unë jam i gatshëm që ta takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin personal nuk kam asnjë problem që të takohem me Albin Kurtin, madje po të na shihni bashkë ju do të thoni sa mirë shkojnë. Por në nivelin konceptual gjërat nuk janë aspak mirë”, ka thënë Rama.

Rama bëri thirrje për lirimin pa kushte të tre zyrtarë policorë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia.

Ai e cilësoi mbajtjen e tyre në paraburgim si “mbajtje peng” dhe e kritikoi qëndrimin që ka mbajtur Serbia.

“Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore (të Serbisë) për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës është tejet shqetësuese”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama ka bërë me dije se u është drejtuar sërish me një letër të dytë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, duke kërkuar që plani franko-gjerman “të zbatohet me përpikëri”.

Ai ka thënë se përndryshe ekziston rreziku i “një përplasje të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”, gjë që tha se është vetëm në interes të Rusisë.

“I kam nisur një nisur një letër të dytë presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe Charles Michel, për një domosdoshmëri që Franca dhe Gjermania, në mbështetje të ShBA-së, që plani franko-gjerman të zbatohet me përpikëri”, ka theksuar Rama.

Sipas kryeministrit Rama, interesi i tyre kombëtar kërcënohet nga kjo situatë. “Është shumë e rëndësishme ta kuptojnë të tërë, që nga ata që flasin për vëllezër të vegjël e të mëdhenj të ata që kërkojnë arsye të mosarsyes për ta shtyre zvarrë këtë proces. Interesi ynë kombëtar kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit, është i vendeve që e përbëjnë. Ky rajon ka vuajtur boll nga përplasjet e vazhdueshme”, është shprehur Rama, duke shtuar se këto tensione favorizojnë vetëm presidentit rus.

“I vetmi që përfiton është ai që rri në bunkerin e tij në Kremlin. Nëse do të bëhet një imazh, me siguri Rusia do të ishte me një fytyrë të ngërdheshur”, ka thënë Rama.

Propozimi evropian, i njohur fillimisht si plani franko-gjerman synon të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez po kalojnë disa ditë pushimi…