Rama: Largimi i pjesëtarëve serbë nuk ndikon në transformimin e FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se deri më tani mbi 40 pjesëtarë të kësaj force nga komuniteti serb kanë bërë kërkesë për largim për shkak të presioneve dhe kërcënimeve nga Serbia.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se këta pjesëtarë duhet të presin nga 1 deri në 6 muaj derisa t’u miratohet kërkesa e njëanshme për largim. “Prej momentit që pjesëtarët e FSK-së kanë kërkuar demobilizim, shkëputje të kontratës, derisa të marrin përgjigje janë të obliguar të lajmërohen në punë. Nëse dy ditë nuk lajmërohen në punë, bazuar në ligj, fillon masa tjetër disiplinore, mbledhja e bordit dhe merrja e vendimit për largim të tyre”, është shprehur Rama, duke shtuar se 29 prej të dorëhequrve të hënën janë lajmëruar në punë.
Ai ka thënë se pjesëtarët që kanë vendosur të largohen nga FSK-ja janë të obliguar t’i kthejnë pajisjet individuale apo kolektive. “Nuk ka lëshim pe në kuptimin e thyerjes së rregullave dhe disiplinës. Të gjithë atyre që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e FSK-së do t’u shkëputet kontrata bazuar në kodin disiplinor. Në FSK të gjithë janë të barabartë dhe do t’u nënshtrohen rregulloreve dhe kodit disiplinor”, ka theksuar Rama. Ai ka treguar se për çështjen e presioneve dhe kërkesave për largim janë të njoftuar të gjithë partnerët e FSK-së, përfshirë edhe NATO-n.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka bërë me dije se largimi i pjesëtarëve serbë nga kjo forcë nuk do të ketë ndikim në transformimin e FSK-së. Ai ka treguar se ka të interesuar të tjerë dhe shumë shpejt do të plotësohet numri i të dorëhequrve. “Jo, nuk do të ndikojnë. Ky është një proces krejtësisht i ndarë. Jemi duke i kryer obligimet dhe punët tona. Ne e kemi bërë më të mirën e mundshme duke qenë institucioni shembull në vend, por edhe për shumë vende të rajonit jemi lider sa i përket përqindjes së komuniteteve në FSK. FSK-ja do të vazhdojë të jetë gjithëpërfshirëse, kredibile si dhe është e gatshme ta kryejë misionin e vet. Prandaj nuk shoh se këto largime do të kenë ndonjë ndikim në tranzicionin e FSK-së”, ka deklaruar ai.
“Epoka e re”: Z. Rama, si e komentoni kërkesën për largim të dhjetëra pjesëtarëve të komunitetit serb nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) për shkak të presioneve nga Beogradi?
Rama: Është e vërtetë se disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga komuniteti serb, për shkak të presioneve, kanë ofruar dorëheqje. Unë dy muaj më parë kam paralajmëruar për presionet dhe ndalesat në kufi me Serbinë që u janë bërë pjesëtarëve serbë të FSK-së. Presion nuk u është bërë vetëm pjesëtarëve të FSK-së, por edhe familjarëve të tyre. Prandaj, për shkak të këtij presioni, rreth 80 për qind e pjesëtarëve të komunitetit serb kanë ofruar dorëheqje, edhe pse jo me dëshirën e tyre.
“Epoka e re”: Sa është numri i atyre që përfundimisht kanë vendosur të largohen?
Rama: Ende nuk dihet numri i saktë sepse ka lëvizje dhe ka disa prej tyre që dëshirojnë prapë të kthehen. Për numrin e saktë do ta informojmë opinionin në ditët e ardhshme. Deri më tani, ashtu siç edhe ka thënë edhe ministri, janë mbi 40 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb që kanë ofruar dorëheqje.
“Epoka e re”: Jeni duke komunikuar me këta zyrtarë për rikthimin e tyre?
Rama: FSK-ja është forcë profesionale e cila funksionon sipas ligjit, rregulloreve dhe kodit disiplinor. Pavarësisht se kush janë, të gjithë ata që bien ndesh me rregulloren dhe kodin disiplinor do të merren masat ndaj tyre. Këtu nuk ka ndonjë dallim apo përjashtim. Këta kanë bërë kërkesë për demobilizim me vetëdëshirë në kuptimin e procedurave, prandaj nuk ka asnjë lëshim jashtë procedurave, pavarësisht se kush do të jenë ata.
“Epoka e re”: Cila është procedura që do ta ndiqni në këto raste?
Rama: FSK-ja është organizatë vullnetare dhe këtu kemi të bëjmë me shkëputje të njëanshme të kontratës. Ata kanë bërë një kërkesë për demobilizim pavarësisht nëse ajo është bërë me apo pa dëshirën e tyre. Tani janë masat që duhet të respektohen dhe parashihet që nga 1 deri në 6 muaj pjesëtarët duhet të presin derisa t’u miratohet kërkesa e njëanshme për largim. Pra, në këtë rast pritet aprovimi i kërkesës nga ana ime. Por, prej momentit që pjesëtarët e FSK-së kanë kërkuar demobilizim, shkëputje të kontratës, derisa të marrin përgjigje janë të obliguar që të lajmërohen në punë. Nëse dy ditë nuk lajmërohen në punë, bazuar në ligj, fillon masa tjetër disiplinore, mblidhet bordi dhe merr vendim për largim.
“Epoka e re”: Këta pjesëtarë që kanë kërkuar dorëheqjen, a po dalin në punë?
Rama: 29 prej tyre të hënën kanë qenë në punë në mëngjes. Tash kanë disa obligime të tjera që, nëse veç kanë vendosur të largohen, duhet t’i kthejnë pajisjet individuale apo kolektive. Aktualisht jemi në proces dhe procedurë. Nuk ka lëshim pe në kuptimin e thyerjes së rregullave dhe disiplinës. Të gjithë ata që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e FSK-së do t’u shkëputet kontrata bazuar në kodin disiplinor. Në FSK të gjithë janë të barabartë dhe do t’u nënshtrohen rregulloreve dhe kodit disiplinor.
“Epoka e re”: A ka rrezik që në ditët në vijim të rritet numri i dorëheqjeve të pjesëtarëve serbë?
Rama: Tash është më shumë çështje personale. Ata që mund t’u bëjnë ballë presioneve do të vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së, mirëpo nuk e kemi problem sepse kemi të interesuar të tjerë dhe shumë shpejt do ta plotësojmë numrin e të dorëhequrve.
“Epoka e re”: Do të jetë i lehtë procesi i zëvendësimit të tyre?
Rama: Ka interesim të komunitetit serb për t’u bërë pjesë e FSK-së. Kemi edhe aplikues të tjerë. Do ta plotësojmë këtë numër pa asnjë problem. FSK-ja do të funksionojë me apo pa ata, me apo pa mua. FSK-ja nuk është organizatë që për 20-30 persona shuhet. FSK-ja do ta vazhdojë punën e vet.
“Epoka e re”: Në një farë mënyre a ka shkuar huq investimi në këta pjesëtarë?
Rama: Jo, nuk ka shkuar. Ata i kanë kryer të gjitha obligimet që i kanë pasur. FSK-ja është organizatë vullnetare. Natyrisht se nuk është e mirë shkëputja e njëanshme e kontratës sepse do të ndikojë në jetën e tyre. Unë kam biseduar me shumicën prej tyre dhe 80 për qind kanë thënë se vendimin për largim e kanë marrë jashtë vullnetit të tyre. Ata kanë kryer obligimet për aq sa kanë shërbyer. Ata kanë shërbyer mirë, kanë qenë shumë të integruar dhe nuk kemi pasur asnjë problem.
“Epoka e re”: Për këtë shqetësim keni kërkuar ndihmë nga politika, përkatësisht nga drejtuesit e shtetit?
Rama: Kemi biseduar me drejtuesit e shtetit dhe të gjithë janë të informuar për këto zhvillime. Po ashtu, kemi biseduar dhe janë të informuar edhe partnerët tanë. Ne e kemi ekipin këshillues të NATO-s, i cili është i njoftuar me procesin dhe raportet kanë shkuar edhe në nivelet më të larta.
“Epoka e re”: Keni kërkuar nga partnerët t’i bëjnë presion Serbisë për t’i ndalë kërcënimet dhe presionin mbi pjesëtarët serbë të FSK-së?
Rama: Që dy muaj në vazhdimësi i kemi njoftuar për situatën dhe për kërcënimet e ndryshme, qoftë ato me bomba apo për ndalesat që u janë bërë pjesëtarëve gjatë kalimit në kufi me Serbinë. Të njoftuar kanë qenë KFOR-i, NATO-ja si dhe të gjitha ambasadat.
“Epoka e re”: Gjeneral, a do të ndikojnë këto largime në procesin e transformimit të FSK-së?
Rama: Jo, nuk do të ndikojnë. Ky është një proces krejtësisht i ndarë. Jemi duke i kryer obligimet dhe punët tona. Ne e kemi bërë më të mirën të mundshme duke qenë institucioni shembull në vend, por edhe për shumë vende të rajonit jemi lider sa i përket përqindjes së komuniteteve në FSK. FSK-ja do të vazhdojë të jetë gjithëpërfshirëse, kredibile si dhe është e gatshme ta kryejë misionin e vet. Prandaj nuk shoh se këto largime do të kenë ndonjë ndikim në tranzicionin e FSK-së. FSK-ja është organizatë e gjallë, në kuptimin që ka lëvizje, pra çdo ditë dhe çdo vit shkojnë njerëz dhe vijnë njerëz të rinj. Në këtë drejtim nuk ka asnjë shqetësim. Nuk ka hapësirë për frikë sepse ne nuk i kemi larguar, por është largim i secilit me dëshirë. FSK-ja është organizatë vullnetare. Nuk kemi ushtri obliguese. Të gjithë ata që i plotësojnë kriteret mund të jenë pjesë e FSK-së. Nuk kemi pasur asnjë problem me këta që kanë kërkuar dorëheqje. Pa vullnetin e tyre po e bëjnë një hap të tillë, por është zgjedhja e tyre personale dhe ne nuk mund ta ndalim askënd me zor, sepse ky është shërbim vullnetar. E mira do të ishte që ata të kthehen sepse kemi një kontratë të përbashkët dhe nuk është etike që kontrata të shkëputet njëanshëm. Megjithatë, është çështje dhe zgjedhje e tyre individuale. Të gjitha të arriturat e deritanishme të FSK-së janë bërë në bashkëpunim me partnerët tanë dhe pa përkrahjen e tyre nuk do të ishim këtu ku jemi. Ne do ta vazhdojmë punën tonë pavarësisht prej këtyre rasteve individuale. Më vjen keq për këta pjesëtarë të FSK-së dhe për familjet e tyre, të cilët kanë marrë një vendim të gabuar por, si duket, kanë pasur presion. E kuptoj gjendjen e tyre.
Shqipe HETEMI