Edi Rama lartëson në qiell ushtrinë e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka postuar një fotografi me ushtarë të Kosovës, të cilët për dy ditë rresht po vazhdojnë me operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri.
Rama ka theksuar se kjo trupë do të lerë në kujtesën e tij, bashkë me gjurmën e pashlyeshme të kontributit të saj human, në një ditë kaq të zezë fatkeqësie për Shqipërinë, shijen e paharrueshme të një shfaqjeje heroizmi jetësor.
“Të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, ata janë ndoshta produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme, siç janë padyshim shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës”, ka shkruar kryeministri Rama.
Postimi i plotë i tij:
Edhe kjo mund të ishte thjesht një PHOTO OF THE DAY.
Por asisoj, fotoja e ditës nuk do të thoshte dot se sa shumë mirënjohje meriton sot, kjo trupë e shkëlqyer djemsh e vajzash, si të dalë nga ndonjë film skematik amerikan i luftës mes së mirës e të keqes – ku fituesi i luftës shihet qysh në fillim dhe tërë peripecitë e tij gjatë filmit kalohen kollaj, pasi fundi dihet?
Të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, ata janë ndoshta produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme, siç janë padyshim shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës??
Kjo trupë do të lerë në kujtesën time, bashkë me gjurmën e pashlyeshme të kontributit të saj human, në një ditë kaq të zezë fatkeqësie për Shqipërinë, shijen e paharrueshme të një shfaqjeje heroizmi jetësor, ku heronjtë ta mbushnin plot syrin, mu si nëpër filmat amerikanë?
#HEROES?