Rama lavdërohet me rritjen e pagës minimale: Kemi lënë pas Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është lavdëruar me rritjen e pagës minimale në shtetin shqiptar.
Rama ka shkruar në “Facebook” se me rritjen e fundit Shqipëria ka lënë mbrapa edhe Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se do të këtë edhe rritje tjetër të pagës minimale.
“E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baras me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lekë, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Evropën!”, ka shkruar Rama.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për ndikimet tjera që mund të ketë rritja e pagës minimale.
“Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill. Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, ka shkruar Rama.