Rama, Lavrovit: Është mirë që të gjithë ta njohin Kosovën si shtet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Moska ka deklaruar se nuk ka arsye që të mos njihet Kosova si shtet i pavarur.
Në një konferencë të përbashkët për medie me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, ai ka thënë se dyshja kane diskutuar edhe për çështjen e Kosovës.
“Po kemi diskutuar rreth kësaj çështje dhe siç po e shihni po diskutojmë për këtë edhe me ju publikisht. Jemi shumë larg, sepse pozicionet tona janë shumë të qarta. Mendoj se është mire që të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, që ta njohin Kosovën ashtu siç është. Natyrisht kjo nuk përjashton të kundërtën, ne do ta mbështesim gjatë gjithë rrugës dialogun, procesin e pajtimit, gjetjen e një pike të përbashkët që ta bëjmë të mundur këtë njohje”, ka thënë Rama.
Kryeministri shqiptar ka thënë se mosnjohja është parim i gabuar dhe se është nismë që nuk premton progres.
Ai gjithashtu ka komentuar qëndrimin e Lavrov, i cili ka pohuar se shumë marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë realizuar.
“Është e vërtet ajo çka tha ministri që ka shumë aspekte të dialogut, shumë marrëveshje nuk kanë parë dritën e realitetit në aspektin e implementimit. Ia shpjegova ministrit ku duhet ta ristartojmë procesin, sepse kur vjen puna tek marrëveshjet mendoj se palët hedhin fajin tek njëra-tjetra. Por, nuk dua të hy aty duke thënë që pala serbe nuk ka përmbushur marrëveshjet, sepse nuk ndihmon”.
“Vullneti i popullit nuk mund të jetë standard i dyfishtë kur vjen puna tek njohja, apo ajo që vullneti i njerëzve sjell për popullsinë, për një popullatë si ajo e shqiptarëve në Kosovë, që besonin se nuk deshën të qëndronin nën sundimin e një shteti, në thelb diktatorial. Kështu që nuk shoh se pse të tjerët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre dhe Kosova jo”, është shprehur Rama.
Rama po qëndron në Moskë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së me ç’rast zhvilloi takim me Lavrov, ku është diskutuar me theks të veçantë për konfliktin në Ukrainë.