Rama me këshillë për Kurtin: Dëgjoje presidenten Osmani, unë e dëgjoj presidentin tim
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur një këshillë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ajo ka qenë që ta dëgjojë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Sipas “Top Channel”, këto deklarata Rama i ka bërë në Samitin e tretë të Diasporës.
Ai ka thënë se me sugjerim të presidentit të Shqipërisë, do të kërkojë që 22 nëntori të jetë si festë kombëtare për shqiptarët, dhe që tani, është Dita e Alfabetit.
Të njëjtën, ai ka thënë se beson që duhet ta sugjerojë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe që Kurti, ta dëgjojë në lidhje me këtë.
“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të Presidentit të Republikës, unë dua ta kornizoj këtë fjalë dhe në funksion të frymës së këtij Samiti, por edhe në funksion të asaj që thashë, rëndësia e madhe që ka që ne të jemi bashkë dhe ne të shikojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri është, në fakt, diçka e çuditshme por prapë është forca e një njeriu, e Arbën Xhaferrit i cili nuk jeton më, por i cili pati vizionin që të kërkojë që dita e alfabetit, 22 nëntori të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh të jetë një dite feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”, ka thënë Rama.