Rama merr çmimin prestigjioz në Nju Jork, qytetarja afgane: Është heroi ynë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award” gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork.
Në një darkë zyrtare, presidentja e “Sesame Workshop”, Sherrie Westin, e ka vlerësuar Ramën për mikpritjen e qytetarëve afganë.
Ndërsa Rama ka thënë se është nder i madh marrja e këtij çmimi, megjithatë ai ka shtuar se “nuk arrin ende të bëjë paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregulli është përjashtim”.
“Më duhet t’ju them duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura dhe nuk na dëgjon kurrkush se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: Turp”, ka thënë Rama.
Rama ka shpjeguar para të ftuarve se pse Shqipëria e ka marrë këtë vendim. Ai ka thënë se vendimi për mikpritjen e afganëve është bërë për nder të traditës shqiptare, të historisë si refugjatë dhe për fëmijët tanë.
Shembulli më konkret i mikpritjes ishte artisja afgane Mansoura, e cila në fjalimin e saj, ka falënderuar kryeministrin Rama.
“Faleminderit zoti Rama që na mirëpritët në Shqipëri me krahëhapur. Nuk do mundemi kurrë ta falënderojmë mjaftueshëm për atë që ka bërë për ne. Për shkak të tij, ne kemi një të ardhme që fëmijët tanë kanë tani dhe askush nuk e meriton më shumë se ai. Dhe mund të them me vendosmëri se ai është heroi ynë”, është shprehur ajo.
Në këtë darkë, Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i vogël, Zaho./tvklan/