Rama merr dozën e dytë të vaksinës: Brenda shkurti mbërrijnë mbi 40 mijë dozat e tjera

02 shkurt 2021 | 11:43

Kryeministri Edi Rama ka marrë dozën e dytë të vaksinës “Pfizer” kundër koronavirusit.

Injektimin Rama e ka marrë nga dozat e mbërritura mbrëmjen e djeshme në Shqipëri nga kompania “Pfizer”.

Gjatë mbrëmjes së djeshme kanë mbërritur 1170 doza vaksinë të “Pfizer”, por që në javët e ardhshme do të mbërrijë e gjithë ngarkesa prej 41 mijë dozash siç ishte rënë dakord më parë.

Edi Rama, u vaksinua së bashku me një grup mjekësh si Najada Çomo, Mira Rakacolli dhe Tritan Kalo.

Me rastin e mbërritjes së vaksinave nga Pfizer, Rama deklaroi dje nga Rinasit, se shpresat nuk janë vetëm tek kontrata e lidhur me Pfizer për të marrë 500 mijë vaksina por edhe tek kompanitë e tjera, ku më afër një marrëveshje është me kompaninë.

“Mesa kemi mësuar imunizimi ka nevojë për të gjithë ciklin dhe ajo që është më e rëndësishme është se kemi hyrë në zbatimin e kontratës me Pfizer. Natyrisht që nëse i shohim numrat ngushtë dhe jo të gjithë panoramën dhe planin, patjetër që duken shumë pak. Por në fakt të mos harrojmë që në rajon jemi i vetmi vend së bashku me Serbinë ka hyrë në zbatimin e kontratës. Situata e përgjithshme me vaksinat dhe furnizimi në krejt Evropën është kaotike. Keni parë që vende të mëdha dhe BE ka filluar kërcënimet për rrugë gjyqësore të kompanive. Oferta është shumë e ulët për shkak të numrave të prodhimit. Po dje në darkë vonë kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që në mesin e shkurtit mbërrin vaksinat e  tjera”, ka deklaruar ai, duke treguar kohen se kur do të vijnë vaksinat tjera.

“Së treti po dje në darkë vonë kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që në mesin e shkurtit mbërrijnë 10.000 mijë dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit do vijnë 30.000 dozat e tjera”, ka treguar Rama./tch/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oriola Marashi është padyshim një ndër vajzat më të bukura…