
Rama mesazh urimi Kurzit: Fitore e madhe për kampionin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një mesazh urimi për Sebastian Kurz, i cili ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Austri.
Rama e ka konsideruar një fitore të madhe për Ballkanin Perëndimor rizgjedhjen e Kurz si kancelar i Austrisë.
“Urime Sebastian Kurzit për fitoren e madhe dhe jam vërtet i lumtur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor që një kampion i të ardhmes sonë të përbashkët evropiane, do të drejtojë Austrinë mike për vitet e ardhshme kritike që do të vijnë. Të lumtë, kancelar”, ka shkruar Rama.
Rreth 6.4 milionë austriakë kishin të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Votimi ka pasuar kolapsin e koalicionit të Kurz me partinë e të djathtës ekstreme, partia e lirisë, FPO, pas një video skandali që detyroi zëvendëskancelarin Heinz Christian Strache të dorëhiqej.
33-vjeçari Kurz ka dalë i pacenuar nga skandali i FPO e madje edhe ka fituar vota prej saj, ndërsa mbështetja për të është rritur me një të pestën e elektoratit krahasuar me zgjedhjet e fundit në 2017, shkruan “TCh”.