Rama: Meta ka tradhtuar misionin e presidentit
Parlamenti i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare ku do të votohet raporti i Komisionit hetimor Parlamentar, i cili ka propozuar vendimin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Kryeministri Edi Rama duke mos e kursyer ironinë, ka kërkuar që sot parlamenti të flasë me votë për shkarkimin e presidentit Meta dhe të shprehë vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve shqiptarë.
Rama ka pohuar se Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore.
“Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi me statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Meta ka tradhtuar misionin e presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me ShBA-të, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri”.
“Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë”, ka thënë kryeministri Rama.