Rama nderon ish-ministrin Mehaj me ‘Çelësin e Qytetit’
Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe punën në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komunës së Prishtinës, kryetari i kësaj komune, Përparim Rama ia ka dhuruar “Çelësin e Qytetit” ish-ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.
I pari i kësaj komunë, Rama ka thënë se dhurimi i këtij çelësi është më e pakta që mund të dhurojnë për ministrin.
“Me keqardhje e zemër të thyer, përkundër faktit që kemi pas një marrëdhënie fantastike, ke ardhur prej Norvegjie në vendlindje dhe ke bërë një shërbim fantastik. Pra, kemi pas një bashkëpunim të mrekullueshëm. Kemi krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë që janë shembull për të gjithë. E kuptoj vendimin e juaj, mirëpo nuk mund të them se një mik i madh që kam pas këtu, tash nuk do të jetë në institucion, por shpresoj se miq do të mbesim përgjithmonë”, ka thënë Rama.
Ndërsa ish-ministri Mehaj është shprehur i lumtur për këtë mirënjohje.
“Me të vërtete pak befasi dhe e papritur, por së pari faleminderit për bashkëpunimin, për punën që po bëni për qytetarët e kryeqytetit. Je shembull për bashkëpunim. I kemi borxh këtij vendi shumë, të përgëzoj për bashkëpunimin, po bënë një punë të mrekullueshme. Pleqtë kanë thënë rri shtrembët e fol drejt, e unë jam prej atyre. Përkushtimi ndaj popullit është shumë i rëndësishëm, të ja kthejmë çdo njëri aq sa kemi vullnet për një bashkëpunim të plotë. Bashkëpunimi sidomos me ty personalisht ka qenë shumë i lehtë, pa shumë filozofi, e kemi gjetur një zgjidhje të përbashkët për të mirën e qytetarëve, me fjalë pak e shumë punë. Është nderim i veçantë, do të më keni prapa në çdo mënyrë në mbështetje të Kosovës”, ka thënë Mehaj.
Si shenjë mirënjohje për bashkëpunim, edhe ministri Mehaj pati një dhuratë, për kryetarin e kryeqytetit.
Ai derisa ia ka dhuruar një emblemë të FSK-së, ka thënë se kjo është si shenjë për përkushtimin që edhe ata që vinë pas tij në e përcjellin të njëjtën frymë për të mirën e vendit./KP/