Rama nderon Qosjen me dekoratë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nderuar Rexhep Qosjen me titullin “Kordoni i Madh i Yllit të Medaljes” gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Më këtë rast, Rama ka shprehur mirënjohje ndaj Qosjes, duke thënë se akademiku është shembull i gjurmimit të së mirës.
“Fort i dashur profesor, Rexhep Qosja, i dashur Albin, të dashur dhe të nderuar miq, kjo ditë më bën të ndihem krenar dhe njëkohësisht i ndrojtur. Është një ditë që e kam dashur të vijë prej kohësh. T’i shprehësh mirënjohjen dhe të nderosh një njeri të admirueshëm do të thotë të marrësh në këmbim falas uratën e tij. Sot kjo s’ka se si të mos më lumturojë, aq më tepër që jam kryeministri më i mirë mes artistëve, ndërsa profesori është më i larti i të vetëdijshmëve të një gjuhe dhe gjaku përgjatë harkut të një jete të përputhur nga më të zymtat dhe një nga castet më kulmore të historisë tonë”, ka thënë Rama, duke përmendur ndikimin e akademikun në jetën e tij.
“Qosja është një zotni burrë në kuptimin më të plotë të kësaj shprehje shqipe. Profesor Qosja qëndron në kohë si shembull i gjurmimit të së mirës së bashku në një vend ku zhurmat dhe pluhurat mendor e kanë dominuar prej kohësh mjedisin e përbashkët publik. Ka qenë shumë vite më parë kur aso kohe nxënës në liceun artistic, mes librave të lejuar më ra në dorë një libër me titullin ‘Anatomia e kulturës’. Nuk e di sa herë i jam kthyer faqeve të atij libri që kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përçonte një aromë krejt tjetër nga ajo e botimeve me të cilat ishim mësuar”, ka thënë Rama.