Rama: Në 2020-n asnjë lek për makina, kryetarët e bashkive të lëvizin me kuaj
Gjatë mbledhjes së gjashtë të jashtëzakonshme sa i takon situatës në vend si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, Edi Rama u shpreh se në 2020-n, asnjë lek nuk do të shkojë për makina dhe dollapë, por kryetarët e bashkive mund të lëvizin me kuaj.
“Ne do të kalojmë si fazë të parë nga buxheti i 2020, 0.4% të PBB duke u siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv, asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik. Po studiohet edhe cilat fonde mund të transferohen. Ka një zë që lidhet me të gjitha shpenzimet, në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë, nga ato që kanë qenë rutina dhe do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, koltuqeve, TV-ve në të gjithë bashkitë e vendit. Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkishë me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik. Edhe sidomos kryetarët e njëzive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet”, ka thënë kryeministri Edi Rama.