Rama në Athinë, drekë pune me kryeministrin grek
Pas vizitës në Turqi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se në Athinë do të jetë për një drekë pune me homologun e tij grek.
“Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis, për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19;forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit tonë”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Twitter”.
Dy ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka qenë në Turqi për vizitë zyrtare ku është pritur nga presidenti Rexhep Taip Erdogan me nderimet më të larta shtetëror. Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar disa marrëveshje të partneritetit strategjik.