Rama në Berlin kërkon heqjen e vizave për Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës duke thënë se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret për një gjë të tillë.
Ai në një konferencë për media së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, tha se shpreson që shteti gjerman të ndikojë në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Unë shpresoj që Gjermania përveç se të bëjë pjesën e saj për sa i përket përmbushjes së procesit dhe pranimit nga i gjithë Këshilli Evropian njëzëri të uljes në tryezë për negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të përmbushë në nivelin e BE-së edhe liberalizmin e vizave për Kosovën. Është një proces i merituar për shumë vite, por i bllokuar dhe shpresoj të çlirohet”, tha Rama.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.