Rama në Bosnjë dhe Hercegovinë:Do ta hapim ambasadën shqiptare në Sarajevë

07 korrik 2023 | 12:47

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të turit ballkanik është takuar të premten me kryetaren e Këshillit të Ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Borjana Kristo.

Në një konferencë për medie pas takimit, Rama ka bërë me dije se së shpejt në Sarajevë do të hapet ambasada shqiptare.

Kryeministri shqiptar është shprehur se komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë.

Më tutje, Rama ka kërkuar që Bosnjë dhe Hercegovina të lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë me karta identiteti në vend.

“Uroj që ky të jetë një shembull se si të gjithë vendimet dhe proceset kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të merren dhe zbatohen. Dëshirojmë t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnjën dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë. Në Bosnje jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë edhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që të kemi problematika të kësaj natyre ndërkohë që politika duhet të mbështesë”, ka thënë Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përplasjet verbale në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,…