Rama në Këshillin e Atlantikut: Domosdoshmëri njohja e Kosovës
Shqipëria dhe rajoni, për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ndodhen në ditët e tyre më të mira, ndaj edhe konflikti në botë nuk duhet të kalojë në kufjtë e rajonit.
Rama kështu u deklarua në Këshillin e Atlantikut ku u diskutua mbi sfidat e rajonit dhe perspektivën evropiane.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vuri theksin në domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.
“Nesër është përvjetori i 111 pavarësisë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, por edhe rajoni. Edhe Shqipëria edhe rajoni kanë nevojë për më shumë më tepër, kemi sfida dhe jam një person që beson fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë pa menduar të bësh një rajon më të mirë. Në këtë botë, na duhet të mësojmë e punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë ne duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit, rajonit por edhe i botës. Kur them rajoni s’ka qenë asnjëherë më mirë, nënkuptoj krahasuar me disa vjet më parë. Por sigurisht kemi probleme, kemi ende një elefant të madh në dhomë, njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë. Kjo pjesë më e vështira deri më sot, ka treguar se është domosdoshmëri. Kanë ndodhur hapa pas e mangësi që do vijojnë të ndodhin. Në kontekstin më të gjerë, agresioni rus në Ukrainë, lufta mes Izraelit e Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative nëse nuk punojmë natë e ditë për ta mbajtur konfliktin jashtë rajonit tonë”, tha Rama.
“Ne jemi një rajon që ka kompleksitete shumë të mëdha, jemi një rajon shumë fetar. Shqipëria është një vend fetar ku myslimanë e krishterë jetojnë në harmoni. Ja pse besoj se lufta Izrael Hamas është e rrezikshme. Sepse Hamas, është agjent kaosi dhe ky kaos, që duan ta përhapin kudo jo vetëm në lindjen e mesme, mund të ndikojë edhe rajonin tonë nëse nuk bëjmë të gjitha gjërat e nevojshme, për ta mbajtur kaosin jashtë. Nga ana tjetër, kjo situatë, që është përmirësuar shumë duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje mes Kosovës e Serbisë, në njohje të plotë të Kosovës, me paqen përfundimtare”.
“Ajo ç’ka ndodhi pak muaj më parë, ishte një shenjë shumë e fortë, dhe një këmbanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pazgjidhur për t’u bërë vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë, por edhe e Beogradit që nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, përshkallëzimeve, por të trefishojmë përpjekjet për paqe”.
“Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen e autoriteteve të Kosovës, dhe duke pranuar në parim asociacionin kryeministri i Kosovës, ka dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi, apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”, vijoi më tej Rama.