Rama në konferencë me Stoltenbergun: Kahja euroatlantike e Kosovës nuk diskutohet
22 nëntor 2023
| 13:24
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur të mërkurën një konferencë të përbashkët në Shkup me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në këtë konferencë, Rama ka thënë që drejtimi euroatlantik i Kosovës tashmë as që diskutohet, raporton “Euronews Albania”.
“Kahja euroatlantike e Kosovës është jashtë çdo diskutimi, ndërsa hezitimi për ta njohur nga vendet e BE-së dhe NATO-s janë jehonë e një të shkuare që është gjithnjë e më pak relevante me të tashmen që ka sjellë sfida dhe kërkon më tepër unitet dhe vështrim strategjik”, ka thënë Rama në konferencë.
Rama po ashtu ka thënë që është e padiskutueshme që paqja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.