Rama në OKB thirrje Serbisë e BE: Njihni Kosovën, liberalizoni vizat
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, gjeti rastin që t’iu dërgojë një mesazh përfaqësuesve të Serbisë. Ai tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi më së pari do i bënte mirë asaj vetë.
Më tej, Rama kishte një mesazh edhe ndaj BE-së, duke u shprehur se Bashkimi Europian po mban peng 2 milionë banorë në Kosovë, duke mos iu dhënë atyre të drejtën për të lëvizur lirshëm me anë të liberalizimit të vizave.
“Republika e Kosovës e ka provuar veten si partnere e besueshme në rajon. Ka ardhur koha që miqtë tanë serbë të njohin pavarësinë e Kosovës, për t’i dhënë hakun historisë. E dashur Serbi, Kosova e pavarur është një realitet. Bëni histori për veten tuaj dhe më gjerë.
Është e rëndësishme që Kosovës t’i jepet mundësia të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, siç bëhen të gjitha shtetet e globit. Unë shpresoj e besoj se Ballkani Perëndimor të shkëputet nga e kaluara dhe të zhvillohet më tej.
Është e pajustifikuar që Kosova, një shtet me 2 milionë banorë, mbetet populli më i izoluar në Europë, pa pasur liberalizim vizash.
Si është e mundur që BE ende të mbajë peng vetëm 2 milionë njerëz që kanë luftuar kaq fort për lirinë e tyre dhe që mbeten të angazhuar ndaj perspektivës së saj europiane. E dashur BE, ndaloje këtë iniciativë të pakuptimtë”, deklaroi Rama./mapo.al