Rama në Paris, mbërrin në Forumin e Paqes
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka arritur në Paris. Ai do të marrë pjesë në Forumin e gjashtë të Paqes.
Në fokus të diskutimeve do të jetë konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.
Ditën e djeshme, Rama ka shpërndarë një deklaratë ku shprehu shqetësimin e Shqipërisë për ashpërsimin e konfliktit.
“Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit, por jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”, ka thënë Rama.
Për kreun e qeverisë shqiptare, ripushtimi i Gazës është i papranueshëm dhe me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza.
Rama ka propozuar se nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez. /tvklan.al