Rama në prezencë të Kurtit: “Ballkani i Hapur” është rruga e duhur

27 shtator 2021 | 11:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ka folur edhe rreth qëndrimit të tij për “Ballkanin e Hapur”.

Ai ka thënë se kjo iniciativë është rruga e duhur për të ecur përpara.

“Kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta edhe përmes rrjeteve sociale këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht larmisë së toneve dhe të ngjyrimeve, një ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet ‘Ballkani i Hapur’ me Serbinë? Dhe përgjigja e ime është se tani jam më i bindur se që isha që ‘Ballkani i Hapur’ është rruga jonë. Dhe kur them rruga jonë, them rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët, dhe ka një dallim sipas meje, në mes të nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi do të thotë të duash ta shohësh vetën mirë”, ka deklaruar Rama.

Rama ka thënë se në këtë pikë ka mospajtime me Kurtin, por sipas tij, kjo është e natyrës politike dhe duhet të trajtohet si e tillë.

“Natyrisht se kemi një mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, dhe është e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë se kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë, dhe për sa ju mund të shikoni dhe sa ju nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre, nga fakti se kemi një mosdakordësi të kësaj natyre”

“Ndërkohë që themeli i dakordësisë tonë është e një natyre tjetër, jo politike, por kombëtare, vëllazërore, dhe është përtej çdo mosdakordësie të mundshme politike. Ai është themeli që përcakton karakterin strategjik të marrëdhënies tonë për bashkësinë e interesave dhe qëllimeve kombëtare”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë…