Rama në Stamboll: Pa ndihmën e shteteve të huaja koha e shërimit të plagëve do të jetë shumë e gjatë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë sot në konferencën e donatorëve në Turqi se të dhënat e pas tërmetit në Shqipëri janë tronditëse.
Rama ka theksuar se pa ndihmën e shteteve të huaja koha për shërimin e plagëve në Shqipërinë e shkatërruar nga tërmeti do jetë shumë e gjatë.
“Të dhënat tona paraprake janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave të shkatërruara janë banesa të ndërtuara me ndërtime të dobëta nga periudha komuniste apo periudha kur nuk ka pasur kontrolle e përgjegjësi për këto punime. Secila mban dhjetëra familje. Edhe pse nuk kemi shifra zyrtare, ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj njerëzisht e përballueshme nga ne. Pa kontribute nga jashtë koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë për durimin që njerëzit që mund të kenë dhe për frymën e shpresës në të ardhmen e vendit. Ndërkohë që ju kërkoj ndihmë, më lini t’i bëjë thirrje ndjenjës suaj të dashurisë dhe mirësisë, fjalë që kanë 50 sinonime në Kuranin e shenjtë, fjalë askund që nuk përshkruhen kaq bukur dhe të gjithanshme sa në librin e shenjtë. E më shumë se kaq Kurani ka një përkufizim unik për bujarinë, një akt sinqeriteti ndaj krijuesit çfarëdo që shpenzoni nga ajo që është e mirë është për prindërit të afërmit, jetimët dhe ata në nevojë”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar tutje: “Ju kërkoi falje që ndërhyra në konferencën tuaj me një çështje kaq të rëndë e shqetësuese për një vend që shumica prej jush nuk e njohin dhe duke ndarë me ju të njëjtën bindje të atit themelues të këtij shteti të madh Kemal Ataturk, i cili besonte se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është gjymtyrë e këtij trupi”, ka deklaruar kryeministri Rama.