Rama: Nuk ka zgjedhje më 13 tetor
Pas mbledhjes se gjatë të Kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka zgjedhje më 13 tetor.
“Zgjedhjet janë bërë më 30 qershor. Jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisje vendore. Nuk njoh ndonjë 13 tetor. Ndoshta i bie e diel, por është si të gjitha të dielat që kemi përpara”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, socialistët janë fokusuar tek zgjedhjet e brendshme partiake. “Jemi ballafaquar me të gjithë elementët që kemi vënë në tavolinë për të adresuar dhe sigurisht edhe me të gjitha përgjegjësitë që gjithsecili ka për të vijuar këtë proces”, është shprehur Rama.
Më herët, përmes profilit të tij në “Facebook”, presidenti Ilir Meta i ka kërkuar partive që të zgjidhin krizën politike.
Kreu i Shtetit ka nënvizuar faktin se më 17-18 tetor do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë.
Meta ka thënë se nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Sipas presidentit të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe presidentin nga populli, më 13 tetor. /tch/