
Rama: “Open Balkan” është e ardhmja, bashkimi i shqiptarëve bëhet me mjetet e së ardhmes
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ideja e “Open Balkan”-it është e ardhmja dhe se bashkimi i shqiptarëve ndodh vetëm me mjete të së ardhmes dhe jo me “avazin e vjetër”.
Kështu i është përgjigjur kryeministri i qeverisë shqiptare një komentuesi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, i cili i ka thënë Ramës se nuk pajtohet vetëm në një pikë, atë të idesë për “Open Balkan”.
“Jetë të gjatë o kryeministër! Me të gjitha politikat e tua pajtohem përveç një (jo ‘Open Balkan’). Shqiptarët kanë nevojë për bashkim, kështu që serbët nuk i duam as në det e as në territorin tonë”, ka shkruar ky komentues.
Derisa Rama i është kundërpërgjigjur duke i thënë se të gjithë ata që kthejnë akrepat e orës mbrapsht e gënjejnë veten.
“Ora e historisë shkon përpara dhe kush ia tërheq akrepat mbrapsht thjesht gënjen veten. ‘Open Balkan’ është e ardhmja dhe bashkimi i shqiptarëve bëhet me mjetet e të ardhmes, jo me avazin e vjetër të se shkuarës. Sa për detin, duhet të jemi shumë të qetë, se detin që na e ka dhënë Zoti nuk na e merr dot askush, por duhet të jemi edhe të mençur që edhe nga deti të krijojmë më shumë ekonomi e mirëqenie”, ka shkruar Edi Rama.