Rama, opozitës: Shkojmë në zgjedhje, nëse në zgjedhjet e 30 qershorit do të fitoni një bashki më shumë se ne
Opozita proteston prej më tepër se një muaji dhe madje ka “djegur” mandatet e deputetëve, pasi kërkon zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore, pa Ramën si kryeministër.
Në fjalën e tij, ku prezantoi Veliajn si kandidat për një tjetër mandat në bashkinë e Tiranës, kryeministri Edi Rama pati edhe një sfidë për opozitën.
Ai ka deklaruar se zgjedhjet e qershorit do të zhvillohen edhe pa ata, ndërsa u zotua se do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, nëse opozita do të marrë qoftë edhe një bashki më shumë se ata, më 30 qershor.
“Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit, do fitoni një bashki më shumë se ne. Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E di që ju s’do e pranoni këtë sfidë. Ju se mundni dot PS as në Kukës dhe as në Skrapar, dhe lerë pastaj në të gjithë Shqipërinë”, ka thënë Rama.
Kryeministri më pas u bëri thirrje ehe një herë bllokut opozitar, që të rikthehen në tryezë, për të punuar për reformën në drejtësi.
“Unë e kam një ftesë për ju, jeni ju që ja keni rrokanisur kokën ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore. Hajdeni ulemi ta miratojmë së bashku atë reformë, të biem dakord t’i eksperimentojmë në disa zona edhe votimin, edhe numërimin elektronik. Me që keni shumë qejf shit-blerjen e votës, do miratojmë çdo masë që do propozojë në Parlament doktoresha e shit-blerjes së votës. Ne i votojmë vetë në Parlament me deputetë e rinj që ju i keni zgjedhur”, ka thënë kryeministri.