Rama: Pa ShBA-në, Kosova nuk do të mund të çlirohej nga kthetrat e Beogradit
Shqipëria do ta mbështesë çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës e cila përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).
Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
I pyetur mbi presionin e ShBA-së ndaj Qeverisë Haradinaj që ta anulojnë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Amerika është e përkushtuar për Kosovën dhe se pa Shtetet e Bashkuara, Kosova nuk do të ishte çliruar nga kthetrat e Beogradit.
“Pa ShBA-në, Kosova nuk do të mund të çlirohej nga kthetrat e Beogradit dhe nuk do të mundej të ishte shtet i pavarur siç është sot”, është shprehur Rama për “DW”-në.
Rama i cili ka qëndruar për vizitë zyrtare në Berlin është pyetur edhe rreth kundërshtimit të Gjermanisë për ndryshimin e kufijve si një zgjidhje mes Beogradit dhe Prishtinës.
Duke mos përmendur kufijtë, ai ka thënë se është e rëndësishme që të realizohet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ky dialog duhet të finalizohet nga një marrëveshje historike midis Serbisë dhe Kosovës, ne do e përkrahim çdo marrëveshje e cila e ka mbështetjen e qartë të ShBA-së dhe BE-së”, ka thënë Rama.