Rama para Forumit të Paqes në Paris: Shqipëria qëndron me Izraelin dhe kundër Hamasit

09 nëntor 2023 | 16:38

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të udhëtojë nesër (e premte) për në Paris të Francës ku do të merr pjesë në Forumin e Paqes.

Rama ka thënë se në Paris do të diskutojë mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza.

“Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multifetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës”.

“Ritheksoj, Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit. Megjithatë, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”.

“Në Paris do të theksoj se është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se të dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu, do të theksoj se ndërkohë që Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë”, është thënë në deklaratën e Ramës.

Më tutje është bërë me dije se Rama do t’i kërkojë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, mbështetjen për t’u angazhuar me udhëheqës të tjerë në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia, duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

“Ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza”.

“Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të asnjë të ardhme politike për Hamasin. Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez”, është thënë në deklaratën e Ramës.

Rama ka thënë se Shqipëria është e gatshme të bashkë-sponsorizojë rezolutën e nevojshme të Këshillit të Sigurisë së OKB-së për pikat më lartë.

“Me ndërprerjen e të gjithave luftimeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës”, është thënë në deklaratë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë thënë se Raporti i sivjetmë…