Rama paralajmëron bizneset
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar bizneset se goditjet do të jenë drastike nëse nuk respektojnë rregullat.
Në takimin me Shtëpinë e Biznesit, kreu i qeverisë ka thënë se bizneset do të klasifikohen, dhe ata që rezultojnë korrektë nuk do të kontrollohen, por do të hyjnë në një “fashë A” të regjistrit të bizneseve.
“Tjetra është që, biznesi do të klasifikohet. Klasifikimi i bizneseve do të bëjë që bizneset do të rezultojnë korrekte nuk do të kontrollohen. Pra do të jenë në një fashë A të regjistrit të bizneseve ku faktikisht askush nuk mund të shkojë t’i bëjë kontroll. Do të jenë zonë e ndaluar për inspektimet për faktin se kanë treguar në një proces kohor që i kanë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Dhe kjo e shoqëruar me inspektime mbi bazë risku dhe jo mbi bazë territori të inspektorëve që do të shkojë çdo derë, do ta lehtësojë shumë numrin e inspektimeve”.
“Kemi një numër inspektimesh katastrofik dhe nuk tregon forcë por dobësi, nuk tregon përmbushje të misionit por boshllëk dhe do të bëjmë që të ketë pak inspektime, shumë këshillim por ama goditjet të jenë katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Numri i gjobave do të ulet në mënyrë drastike por ama aty ku do të vihet gjoba do të jetë goditje një hap larg vdekjes së atij biznesi, në kuptimin me pasoja të mëdha në financat e tij. Në mënyrë që frika ta rruajë vreshtin dhe jo çdo vilë e rrushit të ketë frikë të këshillohet sepse mund të vijnë dhe ta presin. Jemi në një fazë shumë pozitive me ekonominë dhe nuk është një vendim i bazuar në krijimin e një opsioni nga dëshira por mbi faktet”, ka thënë Rama. /abcnews.al