Rama paralajmëron kallëzim penal nëse s’anulohet vendimi për shkarkimin e tij

19 maj 2020 | 16:26

Rrahim Rama, i shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), ka paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës dhe ka paralajmëruar kallëzim penal nëse nuk anulohet vendimi.

Rama përmes një njoftimi ka thënë se ankesën e ka paraqitur ndaj Komisionit Disiplinor të qeverisë për Pozita të Larta Drejtuese, i cili në fillim të këtij muaji mori vendim për t’ia ndërprerë marrëdhënien e punës në AAPKS. “Ankesa ime ka të bëjë me vendimin krejtësisht politik dhe arbitrar të këtij komisioni, të iniciuar dhe dominuar gjatë tërë kohës nga ministrja e drejtësisë z. Albulena Haxhiu, për të shqiptuar ndaj meje masën disiplinore më 05 maj 2020 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Në ankesën time do të gjeni krejt argumentet e mia ligjore e profesionale ndaj masës jo të drejtë të këtij komisioni dhe ministres Haxhiu, e cila po ashtu ka bërë edhe shkelje procedurale dhe kundër-ligjore gjatë tërë kohës deri sa është marrë vendimi në fjalë. Ky vendim është ndërmarrë me supozime dhe pretendime krejtësisht të pabazuara dhe ai në thelb përbënë një ndërhyrje arbitrare dhe ilegale e ministres ndaj agjencisë të cilën e kemi ndërtuar me ndihmën e vazhdueshme nga qeveria e SHBA-së, e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që nga fillimi (viti 2011) dhe e kemi forcuar dhe profesionalizuar punën e saj vazhdimisht”, ka thënë Rama.

Ai kërkoi që vendimi i Komisionit të anulohet, nën të kundërtën thotë se do të iniciojë kallëzim penal për “cenim të drejtave në marrëdhëniet e punës”.  (A. M / Epoka e re).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi…