Rama, pas bllokimit të 550 tonëve të naftës në Ballsh: Luftë çdo ditë me të mëdhenjtë
Pas bllokimit të 550 tonëve të naftës në rafinerinë e Ballshit, për shkak se ishin jashtë standardeve të cilësisë ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama ka deklaruar se lufta kundër informalitetit nuk do të ndalet.
“Kush merret me naftë duhet të zgjedhe: o sipas ligjit o goditjen e ligjit. 550 ton karburant jashtë standardeve, gati për të dalë në treg, u bllokuan sot në rafinerinë e Ballshit. Lufta kundër informalitetit nuk do të ndalet asnjë orë dhe para asnjë subjekti, duke filluar çdo ditë me të mëdhenjtë në radhë të parë! Ata që nxjerrin, përpunojnë apo tregtojnë naftë, janë në shënjestrën e strukturave të shtetit dhe s’do të kenë asnjë shteg jashtë rrugës së ligjit e të standardeve që meritojnë konsumatorët. Informaliteti në dëm të cilësisë është po aq i dëmshëm dhe i patolerueshëm, sa edhe informaliteti financiar në kurriz të konsumatorit e të shtetit!”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/