Rama pas takimit me Merkelin: Do të bëjmë çmos që zëri i Gjermanisë të jetë në favor të Shqipërisë (Video)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është prononcuar pas takimit që ka zhvilluar në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Duke ruajtur konfidencialitetin formal të takimit, Rama është shprehur: “Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë”.
Megjithatë, Rama ka shtuar se ky është një proces dhe Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut dhe nëpërmjet diskutimeve në grupe.
“Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë evropiane”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka sqaruar se Shqipëria ka pak në dorë sa i përket vendimi të Këshillit Evropian për negociatat, gjithsesi, Tirana po punon që zëri i Gjermanisë të jetë në favorin tonë.
“Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë”, është shprehur Rama.