Rama, pas vizitës në Dubai: Nuk është çështja te çmimi, por nuk ka produkt
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi se dy ditë më parë ishte në Dubai, për të hapur rrugë të reja të furnizimit me naftë të Shqipërisë.
Në një takim me furnizuesit shqiptarë të karburanteve, Rama ka thënë se problemi më i madh nuk është rritja e çmimit, por mungesa e karburantit në treg.
“Nuk është thjesht që çmimi është çmenduri. Çështja është që nuk e gjen produktin”, ka thënë Rama. “Një nga arsyet përse vizituam Princin e Kurorës në Emiratet e Bashkuara ishte për të kërkuar një mundësi. Prandaj edhe ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite dhe ne pse vazhdojmë të jemi në kontakt me të dyja këto vende që janë vende kyçe”, ka shtuar ai.
Kryeministri u kërkoi edhe një herë sforco furnizuesve, për të minimizuar fitimet në këtë periudhë të vështirë, të krijuar sipas tij, nga lufta në Ukrainë.
“Kërkoj që këtë ta bëjmë me sens patriotik, o sot o kurrë! Askush nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nuk rrezikon të humbasë gjithçka që ka fituar. Nuk e dimë sa do të zgjasë, 1 muaj, 2, 3… Nëse zgjat përtej 3 muajsh është situatë komplet tjetër, por për këtë periudhë kohe duhet ta ndani mendjen që do të rezistoni dhe nuk do të fitoni”, ka thënë Rama./A2