Rama: Pedagogët rrinë kafeneve, s’duan të bëjnë mësim
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar në Kryeministri takimin e parë për këtë vit për platformën e bashkëqeverisjes dhe me koordinatorët e kësaj platforme.
Teksa ka konfirmuar se brenda janarit do të jetë gati “Pakti për Universitetin”, kryeministri Rama ka folur edhe për pedagogët, duke thënë se të gjithë shqiptarët janë informuar se tarifat do të përgjysmohen, por sipas tij, vetëm “bufat e sekretarisë së universiteteve” nuk e kanë ditur.
“Qeveria do paguajë 50 për qind të tarifës për studentët, 100 për qind për ata me ndihmë ekonomike dhe kategorinë të sepcifikuara që do marrin një bursë studimore. Tani këtë edhe bufat e parkut të liqenit e kanë marrë vesh nuk e paskan marrë vesh disa bufa të sekretarisë së universiteteve. Ka pedagogë që nuk duan të bëjnë mësim, por preferojnë që t’i lënë studentët rrugëve se duan të rrinë vetë nëpër kafe. Bëjnë lojën e nonë dajës”, ka deklaruar Rama, raporton “TCh”.
Rama ka përsëritur qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesën për uljen e tarifave të masterit. Rama ka thënë se përgjysmim për masterin do të përfitojnë të gjithë studentët ekselentë dhe ato që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike.
“E kam dëgjuar fjalën master deri në 3 të mëngjesit më shumë se tërë gjelat e Surrelit. S’ka mundësi dhe s’është e drejtë të ndërhyhet tek masteri, nuk ndodh askund. Do të përgjysmojmë masterin për ata me 9-10 dhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Të tjerët do e paguajnë të plotë. S’kalohet jeta studentore duke kërkuar nga shteti apo nga prindërit”, ka thënë Rama.
Në takimin e zhvilluar me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i drejtohen platformës.
Rama ka paralajmëruar se në rast se do të shihet se ka vonesa të qëllimshme për zgjidhjen e ankesave atëherë do të merren masat. “Drejtojuni platformës, brenda 10 ditësh do keni përgjigje. Nëse ka do shihet se ka vonesa të qëllimshme atëherë do të ketë ndëshkime”, është shprehur Rama.