Rama për çështjen e negociatave: Do të komunikoj me presidentin Macron
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot se ka në agjendë një tjetër komunikim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, mbi çështjen e negociatave për anëtarësimin e shtetit shqiptar në Bashkim Evropian (BE).
“Në ditët në vijim kam një sërë komunikimesh me presidentin e Francës dhe të vendeve të tjera anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”, ka deklaruar Rama pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.
Rama ka thënë se moshapja e negociatave nuk ndryshon asgjë në trajektoren e vendit dhe të qeverisjes.
“Kemi diskutuar edhe për mos marrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rënë dakord që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektorën e vendit dhe qeverisjes sonë. Në aspektin praktik jemi të qartë se duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, edhe nëse do të kishim marrë një ‘PO’, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘PO’, pra të ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë duke miratuar në Parlament rekomandimet e OSBE-së. Siç e shikoni, dielli ka dalë përsëri, dita vazhdon”, është shprehur Rama.
I pyetur mbi kërkesën e kryeopozitarit Lulzim Basha për zgjedhje të parakohshme, Rama është përgjigjur: “Këtu nuk ka asgjë të re. Ata kanë punuar shumë fortë dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin. Nuk ia kanë dalë sepse ne kemi arritur të kalojmë pengesën e ngritur në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e Gjermanisë”.