Rama për ‘Financial Times’: Kosova është një pikë e nxehtë, NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri

04 tetor 2023 | 15:01

NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri të Kosovës. Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u ka bërë thirrje liderëve perëndimorë të zgjidhin “çmendurinë e pafundme” midis vendeve të Ballkanit.

“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Rama, vendi i të cilit është anëtar i aleancës ushtarake, ka folur për “Financial Times” pasi terroristët serbë kanë marrë peng një manastir në Kosovën veriore, duke marrë të paktën katër jetë, duke përfshirë atë të një polici etnik shqiptar.

“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, ka thënë ai për “Financial Times”.

NATO ka njoftuar se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe që tashmë kanë premtuar qindra ushtarë në krye të forcës ekzistuese prej 4500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj dhe të qetësojë tensionet. Kosova ka fajësuar Serbinë për sponsorizimin e sulmit dhe për lëvizjen e njësive të ushtrisë afër kufirit të Kosovës, në atë që tregonte qëllime luftarake. Beogradi ka mohuar të kishte plane të tilla, por po strehon udhëheqësin e milicisë, Milan Radojiçiq, i cili ka kryer rrethimin e manastirit.

Pas sulmit të atij manastiri, autoritetet e Kosovës kanë gjetur një depo të madhe armësh, duke përfshirë eksplozivë, artileri të rëndë dhe automjete ushtarake.

Shqiptarët përbëjnë grupin etnik më të madh në Kosovë, i cili është shkëputur nga Serbia në vitin 2008. Beogradi nuk e ka njohur atë si një komb të pavarur – një hap i ndërmarrë nga ShBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së.

Një pakicë etnike serbe është e përqendruar në pjesën veriore të Kosovës dhe ka refuzuar autoritetin e Prishtinës, duke organizuar protesta dhe bllokada të shumta gjatë vitit të kaluar.

BE-ja, ShBA-ja dhe fuqitë e tjera perëndimore janë përpjekur të ndërmjetësojnë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, por pavarësisht se ishin afër një marrëveshjeje në mars, propozimet u shpërbënë si rezultat i zgjedhjeve të diskutueshme komunale në veri të Kosovës.

Pas kësaj kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka avokuar për një “konferencë të nivelit të lartë” që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe riangazhimin e ShBA-së.

“Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund”, ka thënë Rama.

Udhëheqësi shqiptar, ka thënë se ai kishte tërhequr tashmë vëmendjen për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë gjatë një samiti të NATO-s në korrik.

Qëllimi, ka thënë ai ishte “njohja e plotë e Kosovës në BE dhe në Kombet e Bashkuara.

“Nuk është e lehtë të ndryshosh rrjedhën e historisë, kjo kërkon lidership. Por nëse Franca dhe Gjermania mund ta bëjnë atë (pas Luftës së Dytë Botërore), nëse Arabia Saudite dhe Izraeli mund ta bëjnë atë, atëherë ne e dimë se mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Rama për një kohë të gjatë është përmbajtur nga përfshirja në konfliktin e Kosovës, në vend të kësaj ndërtoi lidhje të përzemërta me Beogradin teksa kërkonte të bënte përparim në rrugën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor. “Por, duke pasur parasysh kërcënimin në rritje të sigurisë jo vetëm për shqiptarët në Kosovë, por edhe për rajonin në tërësi”, ka thënë Rama.

Sipas tij, jostabiliteti në Ballkanin Perëndimor i shërben interesave të Moskës.

“Rusia e ka mbështetur prej kohësh Serbinë dhe nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pas pushtimit të Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, Beogradi i rezistoi thirrjeve perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kremlini do të dëshironte gjithashtu të shihte një Donbas të vogël në Kosovë dhe të ndezte një zjarr separatizmi në mes të Evropës”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim Projektligjin për shëndetin…