Rama për hapjen e negociatave: Fjala e fundit nuk është thënë ende
Me anë të një video mesazhi në rrjetet sociale “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se debati brenda Bashkimit Evropian vijon intensivisht me qëllim marrjen e një vendimi të dakordësuar sa i përket negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se mbetet shpresëplotë se mbështetja e Gjermanisë mund të jetë kyçe për të afruar Francën apo vende të tjera që janë kundër çeljes së negociatave.
Sipas tij, sa kohë këto vende nuk kanë dalë ende me një pozicion përfundimtar, nuk është e pamundur që qëndrimi i tyre të ndryshojë. “Shumica dërrmuese e shteteve anëtare duan çeljen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim, me të dyja vendet, pa kushte. Gjermania e cila sot udhëheq frymën e po-së, ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur po-në me disa kushte të cilat janë të arsyeshme për ne dhe jo të pa rëndësishme për të afruar Francën dhe dy a tri vende që deri më sot janë në pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmërinë tonë. Franca dhe ato dy a tri vende nuk kanë dalë sidoqoftë ende në një pozicion përfundimtar dhe siç është plotësisht e mundur të mos lëvizin deri në fund nga pozicioni i tyre, nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromis”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme të kuptohet që kjo nuk është një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, apo perspektivës së Ballkanit Perëndimor në tërësi. Sipas tij, asgjë nuk mund të përjashtohet deri në minutën e fundit. “Fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensiv e të këtyre ditëve deri në mbledhjen e këshillit të Unionit, synojnë të përputhin qëndrimin e të dy anëve në pritje të një rezultati të bisedimeve midis Gjermanisë dhe Francës. Në atë Këshill vendimet merren me konsensus, pra mjafton që një vend të thotë jo, për të rrëzuar po në e të gjithë të tjerëve”, është shprehur ai.