Rama për Vulinin: Shikoni fytyrën e këtij personi, s’ka nevojë për koment
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, i sanksionuari nga Amerika, Aleksandër Vulin, tha se ‘Shqipërinë e Madhe’ mund ta mund ‘bota serbe’, por edhe ‘me ndihmën e Greqisë’. Këto deklarata ai i bëri si përgjigje ndaj takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama me shqiptarët në Athinë.
Por, vetë kryeministri shqiptar iu përgjigj dje kështu Vulinit nga Kotorri i Malit të Zi.
“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-tave çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni, nuk besoj se ka nevojë për ndonjë koment tjetër për të”, tha kryeministri Edi Rama.
“E vetmja gjë që më vjen keq e gjithë përpjekja absurd për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë cdo lloj marrëzie por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do thosha në zemër të Athinës si një takim bërë me autobusë të administratës. Më vjen keq sepse fyhet, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe ishim jo vetëm shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie politike me forcën që qeveris por edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë por ishin të njohur si njerëz që i përkasin palëve tjera politike dhe ishin njerëz që erdhën krejt natyrshëm, në këtë aspkt është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq dhe për gjëra të tjera ai takim do mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një moment i veçantë shqiptarie dhe besoj se është moment i veçantë kthese psikologjie jo vetëm në raport me shqiptarinë”, thotë Rama veç tjerash rreth takimit me shqiptarët në Greqi.
Çfarë deklaroi Vulini më 13 maj
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë” tha Vulin.