Rama për zjarrin në shkollë: E turpshme, po bëjnë përpjekje të dëshpëruara
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar të turpshme ngjarjen e ndodhur dje në Shkodër, me djegien e materialeve zgjedhore brenda shkollës “Shejnza Juka”.
Gjatë një takimi me banorë të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, Rama ka thënë se opozita po bën përpjekje të dëshpëruara, por do të dështojnë sepse nuk e kanë popullin me vete.
“Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme. Është e gjitha një përpjekje e dëshpëruar sepse nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë sepse nuk kanë popullin me vete. Është e qëllimshme e gjitha, për televizion, për ta çuar jashtë dhe për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton të respektohet dhe të hapen negociatat”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka paralajmëruar edhe ashpërsimin e Kodit Penal për personat që do të tentojnë të dëmtojnë qendrat e votimit më 30 qershor, kur mazhoranca ka vendosur të hyjë në zgjedhjet lokale, pavarësisht shfuqizimit nga presidenti i Republikës, Ilir Meta. /Top Channel/