Rama përgëzon Zaevin për gjuhën shqipe dhe “Ohrin”
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përgëzuar kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev për kurajon e vendosmërinë për axhendën e tij programore, e veçanërisht për mbajtjen e zotimit madhor për gjuhën shqipe.
“Dua ta përgëzoj kryeministrin Zaev për kurajon dhe vendosmërinë për axhendën e tij programore e elektorale, si dhe njehsimin e ligjit të gjuhëve në Parlament, e për mbajtjen e zotimit madhor lidhur me gjuhën shqipe. Presim që ligji të kalojë e të nisë zbatimi sa më shpejt. Kështu forcohet më shumë themeli i Maqedonisë së të ardhmes”, ka thënë Rama.
Rama shtoi se në mbledhje u fol edhe për “Marrëveshjen e Ohrit”.
“Jemi të inkurajuar nga vizioni, kurajoja dhe vullneti i kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët, për t’i dhënë fund një historie ku konfliktet na kthehen si pengesa”, deklaroi ai.
Në fund, edhe një fjalë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, si për turizmin, ashtu edhe për trashëgiminë botërore të njerëzimit.
“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është identifikuar si një masë me rëndësi të veçantë dhe e dimë mirë se dy shtetet kanë një pasuri jo vetëm të tyren, por një pasuri që konsiderohet trashëgimi botërore e njerëzimit nga UNESCO. Këtu duhen fokusuar investimet nga të dyja anët e kufirit. Jemi optimistë sa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve dhe rajonit. Jemi të interesuar për përmirësimin e standardeve për prurjet turistike dhe vëllimit tregtar. Në mbledhjen e dytë mes dy qeverive të kemi një pikë “one stop shop” në pikën doganore të Qafë Thanës”, deklaroi Rama.
Ndërkohë nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se në takimin e përbashkët u identifikuan prioritetet në kuadër të “Procesit të Berlinit” dhe se do të fokusohen në punën për një të ardhme më të mirë për të dyja vendet.
“Arritëm disa marrëveshje në fushën e kulturës dhe arsimit, por një marrëveshje e rëndësishme është edhe ajo në fushën e sigurisë”, deklaroi Zaev.
Zaev falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i jep Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, teksa tha se “presim që vitin e ardhshëm të nisim negociatat”.
Takimi i radhës midis dy qeverive, siç shpalli Zaev, do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm në Strugë ose Ohër.