Rama: Porti i Durrësit do jetë ‘de facto’ edhe i Kosovës

02 tetor 2020 | 11:53

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ka thënë se marrëveshjet e arritura mes dy qeverive në të kaluarën kanë pasur zbatim të mirë.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur marrëveshjen për kontrollet kufitare, mirëpo që sipas tij kjo duhet të rezultojë me heqjen totale të kufirit.

“Të gjitha dokumentet e nënshkruara janë në proces të zbatimit ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar. Duhet të veçoj zbatimin e marrëveshjes për hapjen e pikave kufitare. Kontrolli i përbashkët funksionon sipas parimit një ndalesë një kontroll. Edhe në këtë sezon veror, pavarësisht fluksit, lëvizja ka qenë më e relaksuar. Ambicia jonë është heqja e kufirit, në funksion të zbatimit të katër lirive të BE-së, duke filluar nga më e thjeshta dhe kuptimplotja”, ka thënë Rama.

Rama ka përmendur edhe marrëveshjen për portin e Durrësit.

“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim, faktikisht na çon në një destinacion të paimagjinueshëm, shndërrimin e portit të Durrësit në një port defakto edhe të Kosovës. Këtë e kam konstatuar me shumë kënaqësi edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington pak javë më parë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, me këtë marrëveshje do të njihen automatikisht agjentët doganorë të të dyja vendeve, si dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Ai ka thënë se si rrjedhojë e bashkëpunimit mes dy vendeve, ka pasur shkëmbim të rritur tregtar në një klimë të pafavorshme për këtë.

“Kriza e shkaktuar nga pandemia nxori në pah edhe pikat e forta të bashkëpunimit tonë në këto vite. Mbledhje pas mbledhje, marrëveshje pas marrëveshje. Është fakt dhe faktet në kohën që jetojmë kanë shumë më pak peshë në sytë e njerëzve se sa lajmet e rreme apo gjysmë të vërtetat. Edhe për këtë fakt, pak kush apo askush e ka marrë vendimin të flasë, që si rezultat konkret i heqjes së barrierave, është shënuar një rritje e shkëmbimeve tregtare në një klimë jofavorizuese”.

“Së shpejti ne nisim, pas një odiseje të gjatë, ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, dhe ky hap tjetër shkon në drejtimin e duhur, ashtu si shkon në drejtim të duhur korridori digjital Prishtinë-Tiranë, mbështetur në teknologjinë 5G”, ka thënë kryeministri Rama

Rama ka përmendur edhe diskutimet për një marrëveshje për investime të përbashkëta në energji.

Kryeministri shqiptar ka folur edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve në diplomaci, duke përmendur në këtë kontekst arritjet e shqiptarëve në zgjedhjet e mbajtura në shtetet e rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Delegacioni i qeverisë së Kosovës ka mbërritur në Shqipëri. Kryeministri…