Rama premton stadium dhe pishinë olimpike
Me aktivitete të ndryshme me nxënës nga shkollat e Komunës së Prishtinës, të hënën po shënohet Dita Olimpike 2023, si ngjarje që përmbyll Javën Olimpike e cila u shënuan me shumë aktivitete sportive në rreth 25 komuna në të gjithë Republikën e Kosovës.
Qëllimi i Javës Olimpike është që të rinjtë dhe nxënësit e shkollave fillore të merren me sport për një të ardhme të suksesshme në arenën ndërkombëtare. Në hapjen e Ditës Olimpike, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ftoi të gjithë fëmijët që të qëndrojnë sa më larg rrjeteve sociale dhe të merren me aktivitete sportive në mënyrë që një ditë të jenë të suksesshëm si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Amir Rrahmani e kampion të tjerë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, u shpreh se Kosova po bëhet çdo ditë e më shumë krenare me përfaqësimin që sportistët po i a bëjnë nëpër botë me paraqitjet dhe sukseset e tyre duke fituar medalje të shumta. Ai tha se shumë shpejtë në Bërnicë do të ndërtohet Qendra Olimpike ku do të ndërtohet një stadium olimpik si dhe një pishinë olimpike.
“Kemi shpalosur me krenari edhe konceptin tonë vizionar që tani po e quajmë Qendrën Olimpike, një përpjekje madhështore kjo që po ndërtohet në Bërnicën e poshtme ku edhe Prishtina po kthehet në kryeqendër sportive jo vetëm në Kosovë po edhe në të gjithë rajonin. Në këtë pjesë do të jetë stadiumi olimpik, arena multifunksionale, do të kemi edhe bazenin olimpik, një numër të madh të sporteve olimpike ku ju do t’i keni kushtet më të mira për t’i arritur majat më të larta botërore”, ka theksuar Rama. Gjatë Javës Olimpike, u shënuan aktivitete të ndryshme në komuna si Prishtinë, Suharekë, Malishevë, Gjakovë, Rahovec, Drenas, Fushë Kosovë dhe në Han të Elezit.