Rama pret në takim Osmanin
Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama ka pritur sot në Kryeministri presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanin.
Ka qenë vetë Rama që ka shpërndarë disa foto në “Facebook” nga takimi me Vjosa Osmanin, e cila ndodhet për një vizitë treditore në Tiranë.
Osmani foli sot edhe në Kuvend ku shpjegoi rëndësinë se përse edhe parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë rezolutën për dënimin e genocidit serb gjatë luftës në Kosovë.
“Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Në gjykimin për të vërtetën, gjithkush mund të ketë interpretimet e veta, por jo faktet e veta. E vërteta është një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Këtë të vërtetë pritet të konfirmojë edhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është konstituuar dhe ka filluar nga puna”, tha Osmani.