Rama prezanton bonusin e pensionistëve, pas protestës së opozitës ndërpritet seanca
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë të hënën në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2025, se bonusi i fundvitit për pensionistët do të jetë 2 dhe 3-fishi i atij të viteve të shkuara të ndarë sipas dy kategorive.
“Dua ta nis këtë prezantim me lajmin e mirë që dua t’ju përcjell pensionistëve se ditët në vijim qeveria do çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit. Të gjithë ata pensionistë që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do marrin 3-fishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh, ndërsa ata që kanë një pension më të madh se 20 mijë do marrin 100 një bonus prej 100 eurosh. Bonusi i trefishtë do përfitohet nga gjysmë milioni pensionistësh, ndërsa 210 mijë të tjerë do përfitojnë nga bonusi i dyfishtë”, ka thënë Rama.
Gjatë kohës që Rama mbante fjalën e tij, deputetët e opozitës qëndronin në këmbë duke folur nga vendi dhe duke krijuar kaos në sallën plenare. Rama i ka kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali 5 minuta pushim duke ndërprerë seancën./Euronews.al.