Rama prezanton projektin, kështu do të duket sheshi ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë (foto)
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka zbuluar projektin për sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Rama ka thënë se thirrja për operatorët ekonomi është hapur dhe se ky projekt përfshinë edhe transformimin e sheshit “Zahir Pajaziti” dhe të hapësirave përreth.
“Kështu do të duket Sheshi Xhorxh Bush. Thirrja për operatorët ekonomik tanimë është hapur. Projekti i reviduar përfshin edhe transformimin e Sheshit Zahir Pajaziti dhe të hapësirave përreth. Vizioni ynë për Prishtinën me qytetarin prioritet po vazhdon”, ka shkruar Rama.
Në dosjen e tenderit jepen detaje për punët që do të kryhen, ku janë të ndara në Sheshin e Katedrales, atë te shkolla, komercial, qendror, i koncerteve, i rekreacionit dhe i studentëve.
Aty parashihen punët e rregullimit të jashtëm, punët përgatitore, të demolimeve dhe zhvendosjeve, punët e dheut, ato ndërtimore, të gjelbrimit, furnizimit me ujë, të kanalizimit të ujërave atmosferike, të ujërave të zeza, instalimeve energjetike dhe të ndriçimit,, dhe punët e strukturës të katedrales.
Vlera e parashikuar e kontratës është 18 milionë e 400 mijë euro, derisa kohëzgjatja e saj është 360 ditë nga dhënia.
Kompanitë e interesuara për të dorëzuar ofertat kanë afat ta bëjnë këtë deri më 6 shtator, në orën 14:00.